Transmetuar më 16-10-2023, 12:43

Ndërkohë që samiti I Berlinit ka nisur në Tiranë, së fundmi ka reaguar edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Teksa ka përshëndetur punimet e samitit Berisha tha se ky samit sot varros përfundimisht projektin e Ballkanit të Hapur, të cilin e ka promovuar edhe kryeministri Rama.

Berisha ka dalë në një deklaratë për mediat teksa u shpreh se samiti është gjithashtu garanci për popullin opozitar në Shqipëri por ndërkohë tha se kjo fasadë e kryeministrit nuk i pengon liderët të shohin problemet aktuale politike dhe sociale, sipas tij.

“PD shpreh gjithashtu vlerësimin më të madh për samitin e sotëm sepse sot, këta burra të shquar të BE, varrosin pikërisht në ndërtesën mauzole të diktatorit, projektin e Ballkanit të Hapur, të Edi Ramës.

Projekt ky, de facto ruso-serb, i cili synonte në një mënyrë apo në një tjetër, rikthimin e Serbisë së Madhe dhe rikthimin e rajonit në zonë influence të Rusisë.

Ky projekt, në të cilin Edi Rama u bë promotor kryesor dhe tundte flamurin e tij, që mbështetej fuqishëm nga Sergi Lavrov, por në fakt edhe nga Aleksandër Soros, sot, thashë dhe njëherë, varroset në këtë samit dhe kjo është një arritje e madhe për shqiptarët, një arritje e madhe për të gjitha kombet e rajonit, që shohin të ardhmen e tyre më të mirë në BE.

Kjo është një goditje e të gjitha aspiratave të hegjemonizmit serb dhe influencës ruse në rajon.

Ndaj dhe njëherë, e mbyll këtë deklaratë duke iu uruar sukses të plotë punimeve të këtij samiti historik për rajonin dhe Europën në Tiranë,” tha Berisha citon NOA.AL.