Transmetuar më 15-10-2023, 09:29

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar "Fire"

Tiranë – Hodhi lëndë djegëse në tarracën e një lokali dhe si pasojë u dogjën panelet diellore dhe disa pajisje të ndryshme të lokalit, identifikohet dhe vihet në pranga autori i zjarrvënies.

Policia e kryeqytetit thotë se ka shpallur sot në kërkim një 24-vjeçar, i cili akuzohet se kishte paguar autorin e zjarrvënies, për të djegur një lokal në Tiranë.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ditës së enjte 12 tetor kur në një lokal në rrugën "Gjin Bue Shpata", shpërtheu një zjarr i papritur dhe i mistershëm.

Pas ngjarjes, policia e Komisariatitnr 2 organizoi punën për dokumentimin e plotë ligjor të asaj që ndodhir, dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar "Fire".

Si rezultat i këtij operacioni u ndalua shtetasi K. B., 29 vjeç, dhe u shpall në kërkim shtetasi R. B., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.

I riu K. B., sipas policisë, të enjten 12 tetor 2023 ka hedhur lëndë djegëse në tarracën e një lokali në rrugën "Gjin Bue Shpata".

Dhe si pasojë janë djegur panelet diellore dhe disa pajisje të lokalit.

Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se ky shtetas është paguar nga i riu tjetër, R. B., me shumën 20 000 lekë të rinj, për kryerjen e këtij krimi.

Provat e sekuestruara

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veshje të cilat autori i zjarrvënies, ka patur veshur gjatë kryerjes së krimit, si dhe disa targa automjetesh të shtetësive të ndryshme, të gjetura gjatë kontrollit të banesës së tij.

Policia thotë se po punohet për kapjen e shtetasit R. B., si dhe të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd