
Elbasan – Një i ri humbi jetën është, një fëmijë është lënduar e po ashtu një i tretë është plagosur në një aksident rrugor që ndodhi sonte, raporton noa.al.
Ngjarja ndodhi pak më parë në aksin rrugor Kuçovë-Belsh, rrethi Elbasan, raporton noa.al.
Mësohet se automjeti që drejtohej nga shtetasi K. K., 22 vjeç, banues në Belsh, është përplasur me mbrojtësen metalike të rrugës.
Nga përplasja, ka ndërruar jetë në vendngjarje, shtetasi Uran Shehu, 37 vjeç, banues në Belsh, pasagjer, në këtë automjet.
Drejtuesi i automjetit shtetasi K. K., pasi kreu ekzaminimet në spital ku rezultoi pa probleme, u shoqërua në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.
Gjithashtu, kreu ekzaminimet edhe pasagjeri tjetër 14 vjeç, dhe u largua për në banesë, pa probleme.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për përcaktimin e plotë të shkaqeve si edhe rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se shkaku i përplasjes me mbrojtësen metalike është humbja e kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi i automjetit.
Përditësim, e diel 15 tetor 2023 – 11:49
Elbasan – Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për një aksident rrugor në aksin "Kuçovë-Belsh", specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin K. K., 21 vjeç, banues në Belsh.
Arrestimi i tij u bë pasi duke drejtuar në gjendje të dehur, automjetin, i riu ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit.
Për pasojë automjeti është përplasur me mbrojtësen metalike të rrugës dhe si pasojë ka ndërruar jetë shtetasi Uran Shehu, 37 vjeç, pasagjer në këtë automjet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





