Transmetuar më 14-10-2023, 15:30

Shkodër – Një zbulim tronditës konsiderohet ai në Shkodër, ku në dy shkolla të mesme të qytetit, dy nxënës janë identifikuar si trafikantë drogash e madje njëri prej tyre edhe i armatosur me armë të ftohtë.

Policia tha se mori të dhëna në rrugë operative për këta dy nxënës adoleshentë të cilët shpërndanin kundrejt fitimit, doza të shumta kokaine dhe marijuane.

Nisur nga të dhënat u krye një aneks i megaoperacionit policor të koduar “Tempulli” në zbatim edhe të masave të përcaktuara për Paketën e Sigurisë në shkolla.

Si rezultat i bashkëpunimit me oficerët e sigurisë në shkolla, u goditën 2 raste të tentativës për t’iu shitur lëndë narkotike, nga nxënësit, vetë nxënësve.

"Ne vumë në pranga 2 djem ende në moshë të mitur që tentuan t’iu shisnin lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, bashkëmoshatarëve të tyre, në dy shkolla ku ata vetë ishin nxënës.

Njëri prej të arrestuarve mbante edhe armë të ftohtë me vete, në shkollë", konfirmoi për noa.al një burim zyrtar i policisë lokale.

Nga kontrolli u sekuestruan 486 gramë kanabis, dhjetëra doza kokaine dhe kanabisi, si dhe një armë e ftohtë thikë.

"Si rezultat i kontrollit të befasishëm nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me oficerët e sigurisë në shkolla, rezultoi se një 16-vjeçar posedonte brenda ambienteve të shkollës, një sasi dozash me lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, si dhe një armë të ftohtë (thikë).

Shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll dhe në banesën e 17-vjeçarit (nxënës në një shkollë tjetër në Shkodër) që dyshohet se furnizonte me lëndë narkotike 16-vjeçarin.

Gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 486 gramë kanabis në formë bogçeje dhe disa doza kokaine", detajoi policia.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera dhe në prani të psikologut, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. H., 16 vjeç dhe G. Dh., 17 vjeç.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara, për të identifikuar, kapur dhe arrestuar shtetasin që furnizonte 17-vjeçarin, me lëndë narkotike, për t’ia shitur bashkëmoshatarëve të tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksonit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme. /noa.al