Transmetuar më 14-10-2023, 11:56

Pas triumfit 3-0 ndaj Çekisë, Shqipëria do të presë Bullgarinë të martën në një miqësore në stadiumin ‘Arena Kombëtare’.

Lista e kombëtares ka pësuar ndryshime për këtë takim, teksa pas largimit të Keidi Bares dhe Mirlind Dakut, trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë për herë të parë në kombëtaren A, Marvin Çunin.

Sulmuesi shqiptar, i cili aktivizohet me skuadrën e Frosinones në kampionatin italian do të bashkohet me kuqezinjtë ditën e sotme, ndërsa nesër do të zhvillojë edhe seancën e parë stërvitore në radhët e kombëtares shqiptare.

Marvin Çuni ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U-19, teksa numëron gjashtë paraqitje dhe dy gola, ndërsa tani do të ketë mundësinë të japë kontributin e tij edhe me Kombëtaren A.

Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet për ndeshjen miqësore ndaj Bullgarisë, që do të luhet të martën në stadiumin ‘Arena Kombëtare’ prej orës 18:00.

Trajneri Sylvinho nuk do të ketë në dispozicion Mirlind Dakun, i cili ka lënë grumbullimin për shkak të një tërheqjeje në muskujt e kofshës, që pësoi gjatë ndeshjes me Çekinë.

Po kështu nuk do të ketë mesfushorin Keidi Bare, pas kërkesës zyrtare nga klubi i Espanyol për ta lënë të lirë për shkak të ndeshjes të rëndësishme të fundjavës në kampionat.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd