Transmetuar më 13-10-2023, 19:18

GAZA- Izraeli ka nisur bastisje të lokalizuara në Gazë gjatë 24 orëve të fundit, ka thënë zëdhënësi kryesor ushtarak i Izraelit.

Njësitë e këmbësorisë dhe tankeve morën pjesë në aksion dhe synojnë gjetjen e ekuipazheve të raketave dhe pengjeve, tha admirali i IDF, Daniel Hagari. Të paktën 120 pengje po mbahen në Gaza, njoftoi ushtria izraelite, raporton Skynews.

Kjo duket se është ndryshimi i parë nga sulme ajrore në operacione tokësore. Një numër i konsiderueshëm i civilëve të Gazës kanë filluar të lëvizin në jug për të shpëtuar veten.

Konflikti Izrael -Palestinë

Grupi militant i Hamasit nisi një sulm masiv ndaj Izraelit mëngjesin e 7 tetorit. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme në Gaza. Të paktën 1300 persona në Izrael dhe mbi 1,537 në Gaza janë vrarë që kur shpërtheu dhuna. Ndërkohë ministria e Shëndetësisë në Palestinë ka raportuar se 1,799 palestinezë kanë vdekur dhe rreth 6,388 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Hamasi, që njihet si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe fuqitë e tjera botërore, udhëheq me Gazën që nga viti 2007.

Izraeli ka urdhëruar rrethimin e plotë të Gazës dhe autoritetet kanë thënë se kjo masë nënkupton ndërprerjen e ujit, ushqimit dhe energjisë për këtë territor. Izraeli dhe Gaza deri më tani kanë zhvilluar katër luftëra, teksa palestinezët vazhdimisht kërkojnë të krijojnë një shtet të tyre me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd