Transmetuar më 13-10-2023, 18:39

Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi mbrëmjen e djeshme me rezultatin e thellë 3 me 0 kundër Republikës Çeke, duke iu afruar gjithmonë e më shumë ëndrrës europiane.

Por teksa në Shqipëri festohet, në Çeki po përgatiten për furtunë, e personi që rrezikon më shumë është pikërisht trajneri Jaroslav Silhavy.

Ashtu siç ndodhi me trajnerin e kombëtares polake, Fernandos Santos, i cili u shkarkua pas humbjes 2 me 0 ndaj kuqezinjve në Tiranë, edhe Silhavy pritet të shkarkohet.

Humbja e djeshme i komplikoi shumë gjërat për çekët, që tani gjenden në vendin e tretë me 8 pikë, një më pak se Polonia, edhe pse më parë shiheshin si favoritët e grupit E.

Lajmin për mundësinë e shkarkimit e pranoi dhe vetë tekniku dje, teksa u shfaq shumë i mërzitur në konferencën pas ndeshjes.

“Dorëheqja? Sigurisht që (pozicioni im) do të zgjidhet, kjo është e qartë. Megjithatë, detyra ime tani është të përgatis ekipin për të dielën, që është një kohë e shkurtër.

Nuk e di se çfarë do të dalë nga drejtuesit. Rezultat i keq, ndoshta ndikoi kartoni i kuq”, tha Silhavy dje.