Transmetuar më 13-10-2023, 13:12

TIRANË- Lideri historik i PD, Sali Berisha, është i bindur që Partia Demokratike do të fitojë zgjedhjet e vitit 2025. Kjo deklaratë u bë e ditur nga Berisha gjatë konferencës së tij me gazetarët.

‘PD do fitojë zgjedhjet në 2025. E rëndësishme është se do fitojmë zgjedhjet. PD do i japë përgjigjen më të merituar Edi Ramës. Nuk dorëzojmë opozitarizmin. Rikthimi i Berishës është realitet i veçante.”- tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar edhe çështjen për logon dhe vulën, duke e theksuar si “një përballje me padrejtësinë.”

Berisha vijon të akuzojë Edi Ramën si fajtorin kryesor për dëmtimin e opozitës. Sipas tij lufta për të rrëzuar Ramën dhe ragjimin e tij do të vijojë deri në fund.

Midis të tjerash ish-kryeministri sulmoi gjykatësit e çështjes të cilët, sipas tij janë të investuar për mos të patur një opozitë të fortë.

"Së pari, çdo deputet pa përjashtim ka të drejtë dhe ka tagër të diskutojë për PD-në. Kjo është gjëja më normale.

Së dyti, dua të jem i hapur me ju, jo vetëm në atë mbledhje, por edhe në disa mbledhje të tjera, ekzistojnë mendime që përkarshi bllokimit, plaçkitjes së vulës dhe logos nga Edi Rama, PD mund të gjejë modalitete të tjera ligjore. Gjë e cila është normale si diskutim, por mendimi im është ky se para një padrejtësie, njeriu nuk tërhiqet.

Ne do bëjmë një luftë deri në fund me Edi Ramën, i cili pa diskutim kërkon të mbajë peng logon tonë me Lul Pengun dhe Alibashën.

Por e drejta është me ne. Dhe ju e shihni, ligji është taksativ që Gjykata e Lartë duhej ta kthente përgjigjen brenda 29 ose 30 ditësh dhe kjo është e prerë.

Por Gjykata e Lartë, e kontrolluar nga Sadushi i partisë, e mban aty vetëm e vetëm për të penguar dërgimin tonë në Strasburg. Sepse nuk ka proces më të padrejtë.

A e dini ju, shikoni sa interesante është, gjykatësja Sadushi, Petra quhet në mos gaboj, njeh Enkelejd Alibeajn kryetar. E kuptoni ju? Po, është e sigurt, keni vendimin. Gjykatësi tjetër thotë jo, është Lulzim Basha, nuk ka dhënë dorëheqjen.

Pra, në vend se ta marrë Lulzim Bashën dhe ta çojë atje ku e ka vendin për mashtrim publik, se minimumi është mashtrim publik, se ka kryer mashtrim publik se thotë se nuk e ka sjellë me shkrim.

Është mashtrim publik ky, ai dënohet gjer në 5 vite burg. Kur një personalitet publik përdor pushtetin e tij për të kryer një mashtrim publik, në gjithë botën ai shkon atje ku e ka vendin.

Kurse këtu, siç don Edi Rama. Këtu gjykatësit vendosin një herë që nuk është kryetar. Herën tjetër u thotë Edi Rama se këtë do e quash kryetar.

E kuptoni çfarë drejtësie? Nuk ka drejtësi këtu, është në kontroll të plotë. Këto janë dy vendime të kundërta. Jo, thotë është kryetar Lulzim Basha se nuk e kam me shkrim dorëheqjen e tij. Nuk e ke dorëheqjen e tij, merre të pandehur për mashtrim publik. Ç’të hysh në këta, janë një kalbësirë."- tha Berisha.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd