
Aksion kundër lojërave të fatit në Elbasan. Policia vendore informon se orët e fundit kreu kontrolle në terren, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive së paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan.
Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të organizimit të lojërave të fatit, në një lokal, forcat policore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Dice”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. M., 63 vjeç, banues në Elbasan dhe P. L., 61 vjeç, banues në Tiranë.
Ata akuzohen për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundershtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Këta dy persona kishin përshtatur lokalin e marrë me qira nga 63-vjeçari, për organizimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Nga verifikimet ka rezultuar se këta shtetas fshihnin të ardhurat e përfituara nga ky subjekt.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: B. A., E. L., Xh. B., V. R., M. S., E. G., A. B., H. M., G. I., A. P., Xh. J., E. T. dhe I. D., për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, pasi u kapën në ambientet e lokalit, duke luajtur lojëra fati.
Shërbimet e Policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale 140 000 lekë të rinj, 580 euro, 50 dollarë, 20 franga, një tavolinë dhe zara për lojëra fati, si edhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme’.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





