Transmetuar më 11-10-2023, 10:06

Ata kishin hapur llogari në Instagram duke u hequr si vajza dhe kërkonin 100 euro për orë, ose 200 euro për të kaluar natën.

Tre të mitur kishin ngritur një skemë të mirëfilltë mashtrimi në rrjetet sociale, ku supozohej se ofronin takime për favore seksuale.

Bëhet me dije se ata kishin hapur llogari në Instagram duke u hequr si vajza dhe kërkonin 100 euro për orë, ose 200 euro për të kaluar natën.

Ndërkohë nga burime zyrtare janë zbardhur edhe disa biseda që të miturit kanë realizuar me të disa përdorues të rrjeteve sociale.

“Mirëmbrëma! Sa e ke takimin për një orë!

100.

A e ke shtëpinë tënde apo në hotel?

Kam shtëpinë time”, thuhet në një prej bisedave.

“Sa do rrish dhe sa vonohesh?

Deri nga ora 3.

I bie 200 euro deri në orën 3”, thuhet në një bisedë tjetër.

Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, operacioni policor i koduar "Takimi".

Përvetësuan shuma të ndryshme parash, nëpërmjet mashtrimit kompjuterik, duke hapur llogari me të dhëna false në rrjete sociale, identifikohen dhe procedohen penalisht 3 shtetas.

Falë punës intensive të Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, zbardhen dhe dokumentohen rreth 150 raste të kësaj skeme mashtrimi kompjuterik, prej të cilave këta shtetas kanë përvetësuar shumën rreth 30 000 euro.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike, gjatë monitorimeve të rrjeteve sociale dhe burimeve te hapura, kanë konstatuar llogari të ndryshme me të dhëna të dyshuara të falsifikuara.

Gjatë monitorimeve të këtyre llogarive janë konstatuar publikime të ndryshme në të cilat premtoheshin favore seksuale kundrejt pagesave të ndryshme monetare, dhe menjëherë është organizuar puna për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, të kësaj skeme mashtrimi kompjuterik.

Pas një pune të mirëorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar "Takimi", në kuadër të cilit u identifikuan dhe proceduan penalisht tre shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç.

Tre autorët, krijonin llogari me të dhëna të falsifikuara të shtetaseve të ndryshme, dhe me anë të postimeve në këto profile, premtoheshin favore seksuale kundrejt pagesave të ndryshme. Administratorët e këtyre profileve, kërkonin nga të interesuarit që pagesa të kryhej në disa vendndodhje të përcaktuara prej tyre, i merrnin paratë pasi i orientonin të interesuarit për vendet ku duhej të lihej pagesa dhe më pas largoheshin duke i bllokuar personat në llogaritë e tyre, në rrjetet sociale ku komunikonin.

DVP Tiranë fton qytetarët që nqs do të konstatojnë profile të tilla nëpër rrjete sociale, të paraqiten në Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në DVP Tiranë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd