Transmetuar më 10-10-2023, 15:19

Mirlind Daku, sulmuesi i kombëtares kuqezi, i grumbulluar për herë të parë nga Sylvinho muajin e kaluar, mban premtimin, takon gruan e heroit kombëtar Agim Ramadani dhe i dhuron fanellën me nënshkrimin e tij.

"Takim i këndshëm me Mirlind Dakun dhe sportistët që na bëjnë krenarë.

Në kombëtare nuk ka kufij, aty kemi Shqipërinë etnike.

Ju lumtë djema, ju priftë e mbara dhe suksesi!" – ka shkruar Shukrije Ramadani në Facebook.

Gruaja e Agim Ramadanit, i njohur ndryshe si komandant Katana, ka qenë e ftuar në një emision bashkë me Mirlind Dakun, futbollistin kuqezi, i cili mban në shpatull tatuazhin e Katanës.

Gjatë intervistës, Daku i kishte premtuar gruas së Agim Ramadanit bileta për të parë ndeshjen Shqipëri-Çeki.

Ajo sigurisht e ka pranuar dhe është shprehur se do të jetë e pranishme për ta parë ndeshjen më 12 tetor në "Arena Kombëtare".

"Katana 138" ishte tatuazhi që Mirlind Daku kishte në shpinë dhe e shfaqi pasi shënoi golin e dytë për kombëtaren kuqezi ndaj Polonisë, fiks 2 minuta pas hyrjes në lojë.

"Katana" ishte pseudonimi i komandantit Agim Ramadani, njërit prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe komandant i Zonës së Koshares. Brigada në të cilën bënte pjesë quhej "Brigada 138".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd