Transmetuar më 10-10-2023, 14:39

Lojtarët kuqezinj shqiptarë janë tashmë në “radarët” e klubeve të njohura në Europë. Nga Serie A në La Liga dhe Premier League, kudo ka futbollistë të kombëtares sonë që na bëjnë krenarë. Ky sport në vendin tonë tashmë po sjell në Tiranë edhe emra të njohur, jo vetëm si trajnerë, por edhe lektorë të spikatur.

Radhën për të qenë në “Shtëpinë e Futbollit”, në kryeqytetin shqiptar, e kishte drejtori i Interit, Piero Ausilio. Ai ishte i pranishëm sot në kursin për drejtorë sportivë, që po organizon FSHF-ja, ku përcolli eksperiencën e vet në rolin e lektorit. Me këtë rast, gazetarët shqiptarë e kanë intervistuar dhe më konkretisht e kanë pyetur për dy yjet kuqezinj, Kristjan Asllani e Armando Broja.

Drejtori i klubit të njohur në Serie A mohoi interesimin për sulmuesin shqiptar të Chelsea, edhe pse mediat italiane kanë ngritur hipoteza të tilla: “Për fat të keq nuk jemi të interesuar rreth Brojës, ne jemi të kënaqur me sulmuesit që kemi.

E njoh Brojën shumë mirë, një lojtar që po rikuperohet nga një dëmtim i rëndë që ka pasur. E di që është kthyer në fushë, madje ka shënuar edhe një gol. Shpresoj për ju që të jetë një lojtar i rëndësishëm, për kombëtaren shqiptare të enjten, por për Interin s’ka asnjë mundësi”.

Drejtori i Interit ishte plot vlerësim për Asllanin, edhe pse shqiptari ka gjetur pak hapësira aktivizimi me Inzaghin trajner: “Asllanin e morëm sepse ne i dimë vlerat e tij. E morëm edhe pse ishte shumë i ri dhe kishte pak eksperiencë, pasi ai arriti tek Inter pas vetëm 6 muajsh si protagonist tek Empoli.

Ne e dimë që është një lojtar me talent dhe i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë i rëndësishëm për Interin. Si të gjithë të rinjtë ka nevojë të bëjë edhe një rrugëtim rritjeje dhe pjekjeje si lojtar, që po e bën. Ne besojmë shumë tek ai, edhe trajneri e vlerëson shumë lojtarin.

Në merkaton e fundit që bëmë u largua Brozovic, që ishte një lojtar që i hiqte hapësirën Asllanit. Le të shërbejë kjo hapësirë për t’i dhënë mundësi më shumë atij, për t’ia rritur vlerën. Ne kemi në atë pozicion Calhanoglu, një lojtar shumë i fortë në nivel ndërkombëtar. Asllani do të fitojë eksperiencë, siç edhe po bën. Në të gjitha ndeshjet po merr minuta, edhe prezenca në kombëtare do ta bëjë më të fortë. Besojmë shumë tek ai”.