Transmetuar më 09-10-2023, 18:13

Shërbimet në spitalin e vetëm funksional në lagjen Beit Hanoun të Gazës janë pezulluar për shkak të sulmeve të vazhdueshme ajrore izraelite, tha Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza.

Dëmet e shumta të shkaktuara nga sulmet ajrore të vazhdueshme izraelite bllokuan aftësinë e ekipeve mjekësore për të hyrë ose dalë nga ndërtesa, tha Ministria e Shëndetësisë.

Ministria pretendoi se nëntë ambulanca ishin shënjestruar që nga e shtuna.

Izraeli ka dërguar tanke dhe ushtarë edhe në kufi me Libanin. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se ushtria e vendit e mbështetur nga helikopterët kishin vrarë një numër personash të armatosur që kishin depërtuar në Izrael nga Libani, duke rritur frikën se luftimet mund të përhapen më gjerë në rajon.

Izraeli zyrtarisht shpalli gjendjen e luftës të dielën, duke paralajmëruar luftime më të mëdha dhe një sulm të mundshëm tokësor në Gaza, një veprim që në të kaluarën ka shkaktuar shumë viktima.

Kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh tha të hënën se palestinezët kanë të drejtën për t’u mbrojtur nga agresioni dhe pushtimi izraelit.

“Këto ngjarje dhe pasojat e tyre janë rezultat i politikës së qeverisë izraelite për shfrytëzimin e metodave më të këqija të agresionit, vrasjeve, konfiskimit të tokës, sulmeve në vendet e shenjta dhe terrorizmit. Agresioni dhe masat e sigurisë nuk mund të prodhojnë paqe për Izraelin apo qetësi për izraelitët”, thotë Shtayyeh.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd