Transmetuar më 08-10-2023, 22:30

Nafta shqiptare kuotohet sipas Bursës Platz të Mesdheut, e cila ka shënuar ulje në periudhën e fundit

Tiranë – Në Bursën Platz të Mesdheut, ku furnizohet Shqipëria, vetëm brenda një dite, më 4 deri 5 Tetor 2023, çmimi i një ton naftë të përpunuar ra nga 923 USD/Ton në 878 USD/Ton, pra 45 USD/Ton, ose rënia më e madhe ndonjëherë në 24 orë për këtë vit.

Kjo patjetër që duhet të ndikonte në uljen e çmimit të naftës dhe benzinës në vendin tonë.

Sakaq nafta e papërpunuar BRENT është ulur nga 94 dollarë për fuçi në fund të shtatorit në nivelin e ulët prej 80 dollarësh dhe ekspertët pohojnë se edhe një herë nafta ka një rënie të konsiderueshme.

Por as ky fakt nuk ndikon që çmimet të ulen në Shqipëri.

Në Shqipëri vijon të ketë një trend rritës së çmimeve të naftës me pakicë, që nuk vjen si ndikim i çmimeve as nga Bursa e Londrës dhe as nga çmimi Platz i Mesdheut, ku kuotohet nafta shqiptare.

Por po ndodh e kundërta, çmimi është rritur në +200 lekë, disa e shesin deri në 230 lekë duke pretenduar se është naftë importi dhe cilësi më e lartë.

Çmimi duhet të ulej edhe për shkak se ka rënë konsumi që në verë arriti kulmin nga turizmi.

Por me të mbaruar sezoni turistik, oligarkët rritën 4 herë rresht çmimin e karburanteve dhe asnjëherë nuk e ulën atë.

Në këtë vorbull, në ndihmë të konsumatorëve që po varfërohen çdo ditë e më shumë, do të duhet të vinte kursi valutor, sepse dollari është zhvlerësuar shumë përballë lekut, ashtu si dhe euroja.

Por as ky faktor nuk shërben për të ulur çmimin. Sepse mesa duket, në një vend ku kontrolli nuk ekziston as nga shteti dhe as nga ndërgjegjja qytetare, mund të fitohet sa më shumë.

Në gjithë këtë histori çmimesh të larta në kurriz të shqiptarëve, është padyshim dhe shteti: rreth 60% e shumës që shkon për blerjen e një litri, shkon në arkën e shtetit.

Dhe ironia është se një litër naftë e përpunuar dhe gati për tregtim, aktualisht nuk kushton më shumë se 85 lekë. /noa.al