Transmetuar më 08-10-2023, 08:50

Izraeli po fillon një “luftë të gjatë dhe të vështirë”, paralajmëron kryeministri Benjamin Netanyahu në një postim që bëri pak kohë më parë në platformën X (ish-Twitter). Në të njëjtën kohë ai thekson se përgjegjësia për këtë luftë i takon Hamasit, i cili dje të shtunën nisi sulme vdekjeprurëse në territorin izraelit.

Faza e parë e luftës ka të bëjë me shfarosjen e forcave armike që depërtuan në Izrael dhe vranë civilë dhe ushtarë, shkruan kryeministri izraelit.

Netanyahu thotë se forcat e armatosura izraelite kanë nisur një sulm në Rripin e Gazës, i cili do të vazhdojë “i pandërprerë” dhe me vendosmëri “derisa të arrihen objektivat” e operacionit.

“Ne do të rivendosim sigurinë për qytetarët e Izraelit dhe do të fitojmë”, siguron kryeministri izraelit.

Duke e përshkruar Gazën si “qytetin e së keqes”, Benjamin Netanyahu tha dje: “Të gjitha këto vende ku fshihet Hamasi (…) do t’i kthejmë në gërmadha”. “Unë u them banorëve të Gazës: Largohuni prej andej tani, sepse ne do të sulmojmë kudo me të gjitha forcat tona”, paralajmëroi kryeministri izraelit.

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se kabineti i qeverisë Netanyahu ka dhënë dritën jeshile për sulme kundër objektivave ushtarake dhe administrative të Hamasit dhe Xhihadit Islamik Palestinez në Rripin e Gazës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd