Transmetuar më 06-10-2023, 10:21

TIRANË- Ditën e sotme Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë të raportuar ditën e djeshme, ku 3-vjeçari Brian Spahiu ka humbur jetën pas një operacioni në klinikën dentare private “Splendent” në kryeqytet.

Mësohet se Prokuroria ka sekuestruar kartelat në klinikën private ku është kryer operimi dhe kartelën në QSUT ku djali është dërguar në gjendje kome.

Hetimet kanë nisur edhe për Ina Xhaxhon vajzën e mjekut, pasi edhe ajo kishte marrë pjesë në operacionin e të miturit.

Në kartelën e kilinikës të publikuar nga ReportTv, shihet se të miturit i janë konstatuar 14 dhëmbë për t’i mbushur, të gjithë dhëmbët në pjesën e sipërme të nofullës dhe 4 dhëmballë në pjesën e poshtme të nofullës.

Si ndodhi ngjarja?

I mituri është dërguar nga familjarët në një klinikë dentare për disa shërbime. Pasi mjeku, Roland Xhaxho i ka bërë grafinë, u ka thënë prindërve se fëmija ka 13 apo 14 dhëmbë për rregullim.

Për shkak të numrit të lartë është vendosur që të kryhet operimi me narkozë.

Pas një operacioni që zgjati shumë orë, djali nuk është zgjuar më dhe është dërguar në shtëpi, sepse mjeku iu ka thënë familjarëve se do të zgjohet më vonë. Në shtëpi ai ka shfaqur probleme dhe rritje temperature dhe është dërguar në pediatri ku ka qëndruar në gjendje kome për 2 ditë dhe ka ndërruar jetë.

Trupi i të miturit është dërguar në morg për tu kryer autopsia.

Për ngjarjen e rëndë familjarët bëjnë fajtor mjekun dhe vajzën e tij, Ina Xaxho.

Daja i 3-vjeçarit tha se mjeket bënë ta pamundurën për ta shpëtuar por ishte vonë pasi i ishte helmuar mëlçia.

Ai ka thënë se vrasësit janë Roland dhe Ina Xhaxho, dhe se do të bëjnë të pamundurën që ata të mos e kalojnë kaq lehtë. Gjithashtu ata kanë akuzuar dentistin për manipulim të ngjarjes.

Mjeku 70-vjeçar është proceduar penalisht për ngjarjen. Xhaxho ka deklaruar se procedura e ndërhyrjes ka qenë sipas protokolleve ndërkombëtare dhe se fëmija nga klinika ka dalë i zgjuar në krahët e të atit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd