Transmetuar më 06-10-2023, 09:02

Alessandro Del Piero mund të kthehet te Juventusi…. Tifozët bardhezinj kanë disa kohë që po shtyjnë në këtë drejtim dhe një fije shprese duket se është hapur pas lamtumirës së Andrea Agnelli. Por këtu vjen kthesa.

Ish-flamuri i “Zonjës së Vjetër” mund të përfundojë në mënyrë sensacionale në Arabinë Saudite, ku po zhvendosen jo pak yje të këtij sporti nga kontinenti i vjetër. Al Nassr i Cristiano Ronaldos dëshiron 48-vjeçarin, duke i ofruar kontratë si drejtor sportiv.

Lajmi i dhënë nga mediat saudite po gjen dalëngadalë konfirmim. Propozimi është në tryezë dhe “Pinturicchio” po mendon seriozisht se çfarë të bëjë. Për të do të ishte aventura e parë si drejtues dhe menaxher në futboll.

Deri më tani, pas tërheqjes nga futbolli i luajtur, Del Piero e ka kaluar sprovuar veten në rolin e analistit televiziv. Së fundi u regjistrua në kursin “UEFA Pro” për të filluar karrierën e tij si trajner.

Trajneri është në fakt diçka shumë ndryshe nga kjo ofertë e Al Nassr, që synon të sigurojë një nga fytyrat më të njohura të futbollit italian.

Mbështetësit e Juventusit ishin veçanërisht të interesuar për këtë çështje, pasi ata shpresonin ta shihnin shumë shpejt ish-kapitenin në radhët e drejtuesve të klubit të tyre.

Ajo që i bëri të besojë në kthimin e numrit historik 10 në skrivaninë e “Zonjës së Vjetër” ishte lamtumira e Andrea Agnelli nga presidenca dhe rikthimi i Del Pieros në stadium, i plotësuar me brohoritjen e tifozëve të pranishëm (më 16 prill 2022, Juventus-Bologna).

Ky ishte rikthimi i parë në “Allianz Stadium” pas lamtumirës së vitit 2012. Sidoqoftë, tani legjenda e Juventusit duket se po shkon krejtësisht diku tjetër.

Në pritje të tij është një tjetër ish-lojtar i Juventusit: Cristiano Ronaldo.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd