
Fitorja e Interit ndaj Benfica e bindi plotësisht Arrigo Sacchi, i cili pas kritikash pa fund dhe në mënyrë periodike ndaj stilit të lojës së trajnerit zikaltër, e komplimentoi më në fund Simone Inzaghin:
"Një fitore e llojit ndërkombëtar. Vuajti pak në fillim, por në pjesën e dytë Interi qe fantastik.
Edhe pas golit, zikaltrit vazhduan të sulmonin pa u rrezikuar, shumë mirë.
Nga ana tjetër, nëse e mban topin, kundërshtarët kanë më pak mundësi. Mua më duket logjike kjo lojë, por skuadrat italiane nuk sillen gjithmonë kështu. Interi e bëri këtë ndaj Benfica".
Ish-trajneri i Milanit dhe i kombëtares italiane e quan Inzaghin strateg në Champions League.
Në komentin e tij të zakonshëm për “Gazzetta dello Sport”, ai nënvizoi më tej: “Më pëlqeu Interi, sepse luajti futboll europian, meritoi të shënonte golin e dytë dhe të tretë.
Nëse vazhdojnë të luajnë kështu do të jenë në gjendje t’i trembin të gjithë dhe asnjë objektiv nuk madhor përjashtohet për ta. Kur shoh një ekip kompakt, ku të gjithë ndihmojnë njëri-tjetrin, emocionohem".
Këshilla e Sacchi për Inzaghin: "Vazhdo në këtë rrugë, pa frikë. Ji i bindur në idetë tuaja. Rrallë kam parë një ekip italian të dominojë një ekip portugez si ky. E rëndësishme është që të gjithë elementët e ekipit zikaltër të mbeten aktivë, pavarësisht nëse e kanë topin apo jo, pa krijuar përçarje mes reparteve. Simone i di këto gjëra, urime sërish”.
Një kënaqësi shtesë për trajnerin zikaltër, i cili pavarësisht finales së Champions League sezonin e kaluar, ishte stimuluar shpesh nga Sacchi në nivel taktik muajt e fundit. “Me Sacchi kemi pikëpamje të ndryshme për Interin, secili e sheh në mënyrën e vet”, – tha ai para Benfica, ndërsa ish-trajneri i njohur italian u përgjigj:
“Është e drejtë që secili të ketë pikëpamjet e veta për futbollin, por të gjithë synojnë futbollin e bukur dhe rezultativ.
Unë e vlerësoj dashamirësinë e Simones. Edukimi për mua është thelbësor, është një shenjë e mirësjelljes. Mund të jeni miq, edhe nëse keni ide të ndryshme".
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





