
Laçi mban rekordin për këtë sezon, sepse ka provuar tre trajnerë në 7 javët e para të kampionatit në drejtim. E nisi me Stavri Nicën, vijoi për dy tri javë me Skerdi Bejzaden dhe tashmë ka në stol Mirel Josën.
“Koka të prera” në drejtimin teknik të skuadrave të Superiores kemi pasur edhe te Kukësi dhe Teuta, ndërsa ditën e sotme kjo panoramë shqetësuese është pasuruar me një shkarkim të ri. Më konkretisht, Tirana ka vendosur t’i ndajë rrugët me Orges Shehin, pas dy humbjeve radhazi (ndaj Erzenit dhe Laçit).
Një “martesë” që zgjati shumë, gati për rekord në kushtet e futbollit shqiptar (nisi më 27 janar 2021). Gjatë periudhës me Shehin në pankinë, bardheblutë fituan një titull kampion ne sezonin 2021-2022 dhe një Superkupë Shqipërie, në të njëjtin vit.
Rreth orës 11:00, Shehi është paraqitur në stërvitje për të vijuar punën si zakonisht, i veshur me uniformë sportive, por seanca është shtyrë. Shkaku? Drejtori i klubit, Tefik Osmani ka kërkuar zhvillimin e një mbledhjeje me skuadrën.
Disa minuta më vonë, Shehi ka dalë i pari nga kjo mbledhje, por tashmë i veshur civil. Pra, që këtu u kuptua ndarja mes palëve. Ai nuk ishte më trajner i bardhebluve. Pasi është përshëndetur me të gjithë lojtarët bardheblu, që ka stërvitur, Orges Shehi është larguar nga kompleksi “Skënder Halili”, duke e lënë vakant për momentin postin që mbante.
Sigurisht, ka shumë aspirantë për të, sepse po flasim për klubin e futbollit më të titulluar në Shqipëri, por zgjedhja duhet bërë e peshuar mirë, sepse objektivat janë madhorë, shpenzimet në merkato të konsiderueshme, ndaj nuk mund të gabohet.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





