Transmetuar më 04-10-2023, 12:14

Nuk është hera e parë që Jude Bellingham jep spektakël në stadiumin “Maradona” të Napolit. Marsin e kaluar, në Itali-Angli, mesfushori anglez me numrin 10 mbi supe tregoi tashmë se kishte një tjetër kapacitet.

Është e vështirë ta përkufizosh atë vetëm si një mesfushor, në fund të fundit Carlo Ancelotti këtë verë, kur iu desh të zëvendësonte Karim Benzema, vendosi të investojë tek ai besim. Edhe pse nuk është qendërsulmues.

“Më i habitshmi është personaliteti i tij, bën atë që bën vetëm në moshën 20-vjeçare”, – tha dje trajneri i Real Madridit, i cili e konfirmon veten si mjeshtër për të ditur se si të përshtatet me lojtarët në dispozicion.

Këtë sezon, Bellingham po vepron si një “10” i vërtetë, pas Vinicius dhe Rodrygo, në një sulm me fizionomi shumë të ndryshme në krahasim me atë që “Los Blancos” na kishin mësuar vitet e mëparshme.

“Ai nuk u mor si zëvendësues i Benzema, por në fakt po e zëvendëson Benzema, – tha dje Del Piero. – Bellingham nuk luan qendërsulmues, por është (gjithashtu) gjithmonë aty, duke mbushur zonën e penalltisë. Është rrezik për portën kundërshtare në kundërsulme, në goditje të lira, në krosime nga krahët. Dhe në fund të fundit, shifrat e tij janë ato të një sulmuesi të madh, edhe pse me rol, të paktën në CV, quhet mesfushor”.

Ndikimi i anglezit në botën galaktike shpjegohet mirë me numrat: 8 gola dhe 3 asiste fituese në 9 ndeshje. Jo keq për një lojtar që zbarkoi në Madrid vetëm verën e këtij viti, vetëm 20 vjeç.

Bellingham u ble për 103 milionë euro, plus bonuse të pasura në verë. Një shifër e cila, e parë sot dhe duke pasur parasysh moshën e lojtarit, duket një çmim i mirë. Një marrëveshje dhe për rrjedhojë gjë e rrallë sepse deri më tani kemi parë shumë pak efikasitet të lojtarëve të paguar mbi 100 milionë euro.

Shumë më shpesh, në këto raste, klubet kanë hasur në dështime të bujshme. Ky është rasti i rikthimit të Romelu Lukakut te Chelsea, transferimi i Philippe Coutinho te Barcelona apo i Paul Pogba te Manchester United.

Bellingham është ‘vetëm’ në vendin e 15-të në renditjen e futbollistëve më të paguar (pa përfshirë bonuset). Tashmë, sot, ndoshta ka një vlerë më të lartë se ajo që u pagua disa muaj më parë te Borussia Dortmund për të. Dhe ky është tashmë një sukses i madh, një tjetër sukses i madh për Florentino Perez.

Deri më sot, i vetmi lojtar që pasi është paguar më shumë se 100 milionë euro, ka rritur më tej vlerën e tij ka qenë Kylian Mbappé. I paguar 180 milionë euro nga PSG më 2018, sulmuesi francez e pa vlerësimin e tij të kapërcyer në vite edhe 200 milionë. Më shpesh, historia ka treguar për dështime në blerje të tilla të bujshme. Sidoqoftë, ky nuk do të jetë rasti me Jude Bellingham.

Ja të gjitha blerjet prej të paktën 100 milionë eurosh (pa përfshirë bonuset, të dhënat e ‘Transfermarkt’):

1) Neymar nga Barcelona te PSG për 222 milionë euro

2) Kylian Mbappé nga Monaco te PSG për 180 milionë euro

3) Philippe Coutinho nga Liverpool te Barcelona për 135 milionë euro

4) Ousmane Dembélé nga Borussia Dortmund te Barcelona për 135 milionë euro

5) Joao Felix nga Benfica tek Atletico Madrid për 127 milionë euro

6) Enzo Fernandez nga Benfica te Chelsea për 121 milionë euro

7) Antoine Griezmann nga Atletico Madrid te Barcelona për 120 milionë euro

8) Jack Grealish nga Aston Villa te Manchester City për 117.5 milionë euro

9) Cristiano Ronaldo nga Real Madridi te Juventusi për 117.5 milionë euro

10) Declan Rice nga West Ham tek Arsenali për 116.6 milionë euro

11) Moises Caicedo nga Brighton te Chelsea për 116 milionë euro

12) Eden Hazard nga Chelsea te Real Madridi për 115 milionë euro

13) Romelu Lukaku nga Interi te Chelsea për 113 milionë euro

14) Paul Pogba nga Juventusi te Manchester United për 105 milionë euro

15) Jude Bellingham nga Borussia Dortmund te Real Madridi për 103 milionë euro

16) Gareth Bale nga Tottenham te Real Madridi për 101 milionë euro

17) Harry Kane nga Tottenham te Bayern Munich për 100 milionë euro

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd