
Barcelona akuzohet për korrupsion në çështjen “Negreira”, për korruptim të ish-zëvendëspresidentit të arbitrave spanjollë, kompanive të të cilit klubi katalanas i pagoi 7.3 milionë euro mes viteve 2001 dhe 2018.
Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, u ndal në këtë temë, duke iu përgjigjur një pyetjeje specifike: "Unë jam i shqetësuar për këtë çështje, pasi e gjithë bota e futbollit është e interesuar të dijë të vërtetën e një situate kaq serioze. Drejtësia po punon për këtë dhe ne duhet ta lëmë të bëjë punën e saj”.
Po çfarë e shqetëson më shumë trajnerin e Real Madridit nga kjo çështje? Përgjigjet Ancelotti: "Kam 40 vite që jam në këtë botë, të futbollit, dhe kur ndodhin këto lloj problemesh na shqetësojnë të gjithëve. Shpresoj që drejtësia të bëjë punën e saj dhe të gjejë zgjidhjen ligjore".
Në konferencën për shtyp, trajneri i Real Madridit iu përgjigj edhe akuzave të bëra nga drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Gil Marin, në lidhje me klimën e krijuar rreth gjyqtarëve nga “Los Blancos”:
“Nuk i kushtoj vëmendje asaj që thotë drejtori apo presidenti i Atlético Madridit. Ajo që duhet të pyesni veten është nëse gjyqtarët e bëjnë mirë punën e tyre. Unë mendoj se ata bëjnë gabime të mëdha, askush nuk është i përsosur".
Lidhur me ndeshjen e radhës në La Liga, trajneri italian shtoi: "Lajmi i mirë është se jemi rikuperuar dhe se do të kemi Carvajal për ndeshjen e ardhshme. Alaba ka një problem dhe nuk do të jetë në Girona. Edhe Rüdiger ka pësuar një goditje, por do ta kemi me vete. Do të shohim se si do të përballemi me ndeshjen e së shtunës, pastaj kemi Marvel dhe Garrido që janë shumë të mirë".