Transmetuar më 29-09-2023, 21:49

Marta Fascina, partnerja e fundit e Silvio Berlusconit, shprehu dashurinë e saj për manjatin e ndjerë me rastin e ditëlindjes së tij në një postim të veçantë në Instagram.

Po të ishte ende gjallë, “Cavalieri” sot do të kishte mbushur 87 vjeç.

“Ti i ke bërë vetëm mirë Italisë dhe italianëve. U dhe dashuri, shpresë, harmoni dhe besim të pakushtëzuar. Ti më ngrohe dhe më ndriçove zemrën çdo ditë”, ka shkruar ndër të tjera deputetja e “Forza Italia” në postimin e saj.

“Më dhemb që nuk mund të të jap dorën, nuk mund të të përqafoj, që nuk mund të të shikoj dhe falë shikimit që na bëri të kuptojmë njëri-tjetrin, dije me siguri se dashuria na lidh dhe do të na lidhi përjetësisht” ka shkruar ajo.

“Të dua, përgjithmonë e jotja Marta”, përfundon Marta Fascina në postimin e saj.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, gjithashtu i dedikoi një postim ish-kryeministrit të ndjerë: “Sot ishte ditëlindja e një luftëtari të madh, një miku, një aleati dhe udhëheqësi i palodhur i kombit tonë. Gëzuar ditëlindjen nga të gjithë ne, Silvio!”

Pasditen e sotme, partia “Forza Italia” e themeluar nga manjati dhe politikani italian, i kushtoi një event të veçantë në Paestum të Italisë.

Më herët sot, rajoni i Lombardisë, i dha emrin Berlusconi sallës më të madhe të selisë së saj, në katin e fundit të pallatit “Pirellone”.

Në ceremoni mori pjesë Barbara Berlusconi, një nga tre vajzat e “Mister TV”, e cila theksoi se sa shumë i mungon babai i saj.

“Është e kotë t’ju ​​them se sa shumë na mungon ai, mua dhe vëllezërve të mi, çdo ditë e më shumë. Por ne mbajmë në zemrat tona shembullin e tij dhe gjithçka që ai na mësoi, gjëra me të cilat mund të jetojnë përgjithmonë,” tha ajo.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd