
Një vajzë 16-vjeçare që vuante nga fibroza cistike dhe jetonte me familjen e saj në Gjermani që nga viti 2019 u deportua në Shqipëri më 15 shtator të këtij viti.
Por duket se lidhur me largimin e tyre është bërë një gabim pasi Ministria e Brendshme ka urdhëruar që familja të kthehet mbrapsht në Gjermani, raportojnë mediat gjermane.
“Një e mitur që u dëbua gabimisht në Shqipëri nga Saksonia Qendrore dhe familja e fëmijës mund të kthehen në Gjermani. Shqyrtimi ligjor i çështjes ende nuk ka përfunduar”, informoi të premten ministri i Brendshëm Armin Schuster.
Këshilli i Refugjatëve e kishte kritikuar ashpër më parë dëbimin.
Sipas tyre, 16-vjeçarja vuan nga fibroza cistike, një sëmundje e lindur metabolike dhe është në varësi të kujdesit të vazhdueshëm mjekësor.
Megjithatë, ajo dhe familja e saj u deportuan në Shqipëri, ku shëndeti i saj u përkeqësua.
Këshilli i Refugjatëve foli për një “mospërfillje të madhe etike për situatën shëndetësore të një të mituri të sëmurë rëndë”.
Kjo besohet se shërbeu si nxitje që ministria të urdhërojë që familja të kthehet në Saksoni.
“Ne na vjen keq për këtë gabim dhe shpresojmë që familja do të kthehet shpejt dhe se ngjarjet e fundit do të trajtohen së shpejti,” shpjegoi ministri.
Trajtimi në spitalin universitar të Dresdenit do të jetë i mundur të rifillojë sërish tashmë për 16-vjeçaren shqiptare.