Transmetuar më 29-09-2023, 11:29

Arrestohet në qytetin ‘Studenti’ 34-vjeçari nga Elbasani.

Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me ata të Forcës Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, bazuar në inteligjencën informative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, në lagjen “Qyteti Studenti”, Tiranë, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi Enea Tollumi, 34 vjeç, banues në Elbasan, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

34-vjeçari akuzohet si pjesëtar i një rrjeti kriminal për prodhimin, shitjen dhe trafikimin e llojeve të ndryshme të drogave, rrjet i cili u godit nga Policia e Elbasanit, në muajin qershor të këtij viti, në kuadër të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Rrjeti”.

Vënia në pranga e këtij shtetasi e çoi në 56 numrin e shtetasve në pranga për këtë megaoperacion, gjatë të cilit janë sekuestruar sasi dhe doza të drogave të ndryshme, armë zjarri, municion luftarak, armë të ftohta dhe shuma të mëdhaja parash në valuta të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd