Transmetuar më 28-09-2023, 23:11

TIRANË- Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla akuzoi ministrin e Punëve të Jashtme serb, Ivica Daçiç, se e fyente teksa ajo fliste në sallën e OKB-së.

“Ministri i Jashtëm serb hidhte fjalë të pista drejt meje në sallën e OKB-së, me qëllim që të më shpërqëndronte. Qëllimi im ishte të paraqisja pozicionin e Kosovës”, tha Gërvalla në "Top Story" në Top Channel.

“Jam shumë krenare që stafet tona janë të matura dhe nuk e marrin seriozisht, se kështu kanë bërë gjithmonë. Kur dolëm nga salla ata donin sup më sup të përballeshin me bashkëpunëtorët e mi. Janë regjistruar edhe nga të pranishmit e tjerë”, tha zëvendës kryeministrja.

“Ne nuk negociojmë për Serbinë, negociojmë për vendin tonë, që gjeneratat e ardhshme të mos përballen me te njëjtat gjëra. Ne, duhet të mendojmë se çfarë duhet bërë që Serbia të mos tentojë të përsërisë atë që ka ndodhur të dielën”, shtoi ajo.

Gërvalla zbuloi gjithashtu se kërkonin tre gjëra nga ndërkombëtarët.

“Në kërkojmë nga ndërkombëtarët ta dënojnë sulmin e Serbisë, të na dorëzojnë terroristët që sulmuan policinë e Kosovës dhe të ketë sanksione ndaj Serbisë. Ne e dimë që Serbia nuk do e ndalë sjelljen agresive”, tha Gërvalla.