Transmetuar më 28-09-2023, 20:09

Duket se Greqia nuk do të gjejë qetësi nga fatkeqësitë natyrore, teksa është goditur sërish nga përmbytje shkatërruese.

Qindra njerëz u detyruan sërish të largohen nga shtëpitë e tyre mbrëmjen e djeshme pas një stuhie, dhe përmbytjeve që pasuan në qytezën e Volos.

Shërbimet e emergjencës thanë sot se kishin ndihmuar 250 në rrethinat e Volosit, ku qeveria shpalli dje ‘shtetrrethimin’ prej stuhisë Elias, që sipas tyre erdhi në tokë nga deti Egje. Stuhia kishte prekur gjithashtu ishullin e Evia, duke shkaktuar kufizime të trafikut në veri të ishullit.

Zyrtarët thonë se shumica e Volosit ishte pa energji elektrike dhe se përmbytja kishte përfshirë dhe një pjesë të spitalit vendor.

Volosi është një qytet me rreth 140,000 banorë dhe ishte prekur dhe nga përmbytjet e dy javëve më parë, që sollën sasi ta paimagjinueshme shiu në Greqinë Qendrore, duke vrarë 17 persona.

Ministri grek i bujqësisë Lefteris Avgenakis tha se më shumë se 100 000 kafshë bujqësore ishin vrarë në përmbytjet, ndërsa ishin shkatërruar të korra pambuku, gruri dhe pemëtari të ndryshme.

Përmbytjet erdhën pak pas fatkeqësisë së zjarreve masive të verës në Greqi, ku të paktën 26 njerëz u vranë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd