Transmetuar më 28-09-2023, 11:37

Fundjavë speciale për Haaland. Fillimisht goli kundër Nottingham, më pas fluturimi që e çoi në Oslo. Një udhëtim që kishte në axhendë takimin e yllit të Manchester City me David Yarrow, fotografin 57-vjeçar të artit.

Arsyeja? Krijimi i një seti fotografik për bamirësi, përmes mbledhjes së fondeve. Pra, këtu është një Haaland jo sportiv, i veshur si viking, i zhytur në ujërat e akullta të fjordit, me sëpatë, shpatë, gëzof dhe mburojë.

Sulmuesi është argëtuar duke pozuar, por ka rrezikuar edhe të lëndohet. “Ishte një eksperiencë shumë e çuditshme dhe pak surreale, veçanërisht sepse ai është shumë më i gjatë se unë, por qeshëm shumë.

Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe as tani nuk mund të mendoj për një person më të mirë për t’u veshur si viking. Atij i shkon mrekullisht ky rol, ka qenë një privilegj i vërtetë për mua. E kam ndërmarrë këtë projekt me përulësi dhe ndjenjë përgjegjësie. Koha e tij është e çmuar dhe nuk doja ta humbisja", – tha Yarrow.

Më pas fotografi pranon se duhej t’i kushtonte vëmendje të veçantë, sepse Haaland ishte në rrezik: "Ne kishim çizme gome të bëra posaçërisht për Erling, sepse në këto fjorde norvegjeze ka shumë guacka të vogla deti.

Përpara xhirimit, ndërsa po ecnim në fjord, mendova se ai nuk duhej të shkilte në ndonjë gur të mprehtë. Një gur i mprehtë do të mjaftonte, sepse pasojat që do të pasonin do t’i jepnin fund karrierës sime.

Kështu që kur filluam të ecnim në ujë, e bëmë me vëmendje të jashtëzakonshme. Hap pas hapi, derisa arritëm distancën e nevojshme, e cila ishte, natyrisht, më larg se sa do të arrinin shumica e njerëzve".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd