Transmetuar më 28-09-2023, 07:59

Ndërsa dyqanet kanë traditë mijëravjeçare dhe mezi po shesin nën kriza të njëpasnjëshme, përherë e më shumë tregtarë, janë duke u pasuruar përmes shitjeve virtuale.

Kjo situatë ka krijuar kudo në botë një pabarazi dhe konkurrencë të pandershme dhe po kuptohet si problem, nga një varg shtetesh.

I pari që vendosi të ndalojë shitjet online përmes platformave të rrjeteve sociale është shteti i Indonezisë, raporton noa.al duke cituar Reuters.

Ministri indonezian i Tregtisë, Zulkifli Hasan njoftoi zyrtarisht se janë ndaluar shitjet në platformat e të ashtuquajturave media sociale si TikTok, etj.

Ai shpjegoi dhe arsyen kur tha se qeveria synon të mbrojë bizneset që shesin ballë për ballë.

Sipas tij, me këtë vendim po mundohen "të sigurojnë konkurencë të ndershme dhe të drejtë”.

Megjithatë ministri sqaroi se mediat sociale dhe tregtia elektronike duhet të ndahen nga njëra-tjetra.

Kjo do të thotë se çdo dyqan mund të vazhdojë shitjet edhe në mënyrë elektronike, përmes porosive në faqet e bizneseve, por jo më shitje përmes strukturave inekzistente që kanë veç magazina për shpërndarje.

Ministri ngriti shqetësim dhe për përdorimin e të dhënave personale që grumbullohen dhe riciklohen nga tregtia online. Për më tepër, shfrytëzohen edhe të dhënat e pafundme që mblidhen nga platforma si TikTok, etj.

TikTok ka mbi 125 milionë përdorues vetëm në Indonezi dhe sipas zyrës së kompanisë, janë 6 milionë indonezianë që bëjnë shitje online përmes TikTok. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd