Transmetuar më 27-09-2023, 22:20

Dukagjini është tronditur të mërkurën nga krismat e armëve, ku sipas të dhënave të para mësohet se ka një viktimë dhe një të plagosur rëndë.

Nga burime policore mësohet se kemi të bëjmë me një skemë atentati ndaj dy personave, që janë babë e bir.

Informacionet pranë vendit të ngjarjes bëjnë fjalë se viktima i këtij atentati është shtetasi Zef Guri.

Ndërsa i plagosur është djali i tij, Gjin Guri, i cili është nisur me ambulancë drejt Tiranës.

Mësohet se ai ka marrë tre plumba në këmbë dhe një në kokë.

Forca të shumta policie janë nisur drejt vendit të ngjarjes për të nisur hetimet paraprake rreth kësaj ngjarjeje të rendë.

Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaku i vrasjes.

Autori, pas krimit, është larguar në drejtim të paditur.

Rtsh raportoi se Gjin Gurit në nëntor të vitit 2021 i është vendosur një sasi tritoli tek lokali i tij në Shosh.

"Rreth orës 18:45, në sallën operative të Policisë Shkodër ka ardhur një telefonatë se në malin e Shoshit, ishin plagosur me armë zjarri shtetasit Gj. G. dhe Z. G. Shtetasi Gj. G. po transportohet në spital, për ndihmë mjekësore, ndërsa shtetasi Z. G. ka humbur jetën disa minuta pasi ka ndodhur ngjarja.

Shërbimet e Policisë, së bashku me grupin hetimor, janë nisur menjëherë për në vendngjarje, por për shkak të largësisë dhe të terrenit të vështirë nuk kanë mbërritur akoma.

Me mbërritjen e shërbimeve dhe grupit hetimor, në vendngjarje, dhe pasi të sqarohen rrethanat e ngjarjes, do të ketë një njoftim tjetër," tha policia.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd