Wissing: "Sot mbyllen makinat, nesër produktet kimike, dhe çdo hap në vetvete e bën botën më të varfër"
BERLIN – Ministri gjerman i Transportit Volker Wissing u shpreh të hënën kundër tarifave të mundshme mbrojtëse që mund të vendosen nga BE-ja ndaj automjeteve elektrike kineze shkruan noa.al duke cituar rrjetin CMG.
Ministri Federal i Transportit Volker Wissing kritikoi ashpër Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen në debatin rreth tarifave të mundshme mbrojtëse ndaj makinave elektrike kineze.
Politikani i FDP-së paralajmëroi se një luftë tregtare me Pekinin rrezikon të përhapet dhe në sektorë të tjerë dhe të shkaktojë dëme masive në ekonominë gjermane e jo vetëm.
Wissing i tha ekipit editorial të “Augsburger Allgemeine": "Në parim, nuk kam mendim të mirë për ngritjen e pengesave tregtare," tha Wissing për gazetën gjermane “Augsburger Allgemeine”. "Sot mbyllen makinat, nesër produktet kimike, dhe çdo hap në vetvete e bën botën më të varfër."
"Ne duhet të garantojmë që të prodhojmë automjete elektrike konkurruese, për Gjermaninë dhe tregjet globale," tha ai.
Një luftë tregtare, nga ana tjetër, mund të përhapet në sektorët e tjerë dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha ekonomike, paralajmëroi politikani gjerman.
Për industrinë gjermane të automjeteve, për të cilën Kina është konsumatorja më e madhe, këto masa mund të përbëjnë një kërcënim, sipas ekspertëve.
"Ekziston një rrezik shumë i madh. Na nevojitet bashkëpunimi me Kinën, jo një luftë tregtare," theksoi Ferdinand Dudenhoeffer, drejtori i Qendrës së Kërkimeve Automobilistike CAR në Duisburg.
Mbi një e treta e automjeteve të dorëzuara në gusht të “Volkswagen”-it, prodhuesi më i madh gjerman i makinave, shkuan te konsumatorët në Kinë, sipas kësaj kompanie.
Me një vlerë prej 6.3 miliardë eurosh, mjetet dhe pjesët motorike ishin produktet më të shitura të Gjermanisë për sa i përket vlerës në Kinë në tremujorin e parë, sipas të dhënave statistikore zyrtare.
Nëse ekonomia më e madhe e Evropës do të shkëputej ekonomisht nga Kina, produkti i brendshëm bruto (GDP) i saj mund të ulej me 2 %. Kjo do të sillte humbje vjetore prej 57 miliardë eurosh, sipas një studimi të fundit në emër të Fondacionit për Bizneset Familjare.
Si pjesë e fushatës së tij "Në Kinë për Kinën", “Volkswagen”-i së fundmi e forcoi angazhimin e vet ndaj Kinës, duke blerë 4.99 për qind të aksioneve të kompanisë së re kineze të automjeteve elektrike “XPeng”.
Ndërkohë, marka e grupit “Audi” e zgjeroi më tej bashkëpunimin e saj me partnerin kinez të ndërmarrjes së përbashkët SAIC.
Edhe prodhuesit e tjerë, si “Geely” dhe “Daimler”, po bashkëpunojnë ngushtë me njëri-tjetrin. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd