Transmetuar më 25-09-2023, 19:51

TIRANË- Qindra qytetarë u mblodh/n këtë mbrëmje në sheshin ‘Nënë Tereza’ në Tiranë për të kryer homazhe në nder të efektivit të vrarë nga serbët në Kosovë, Afrim Bunjaku. Qytetarër mbanin flamuj kombëtarë, flamuj të UÇK dhe banderola të ndryshme ndërkohë që kanë ndezur qirinj.

Çfarë ndodhi të dielën e 24 shtatorit?

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit. Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë. Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë. Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan. Gjithashtu ishin sekuestruar sasi të madhe armatimi.