
KOSOVË- Një incident mjaft i rëndë u regjistrua pas mesnate në veri të Kosovës ku mbeti i vdekur një inspektor policie dhe u plagosën dy të tjerë. Lajmi ka shkaktuar tronditje në qarqet drejtuese në Kosovë, por jo vetëm.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka vizituar njërin nga policët që mbeti i plagosur në orët e para të mëngjesit në veri të Kosovës. Gjithashtu Kurti bëri me dije se do të mblidhet Këshilli i Sigurisë, shkaku i zhvillimeve në veri ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
"Operacioni i heqjes së predhës nga krahërori i majtë i policit Alban Rashiti është kryer me sukses sot në mëngjes. Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali. Tani në ora 10:00 kemi mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.