Transmetuar më 24-09-2023, 08:00

Vrasjen e policit të Kosovës e ka konfirmuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Ai në Facebook ka shkruar se rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës, ku është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur

“I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare.

Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë.

Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda.

Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë.

Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve.

Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, ka shkruar Kurti.

https://noa.al/lajmi/2023/09/2403758.html

https://noa.al/lajmi/2023/09/2403756.html

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd