Transmetuar më 23-09-2023, 23:40

Një zjarr i madh përfshiu një fabrikë bojrash në aksin Tiranë-Durrës. Dhjetëra forca zjarrfikëse po punojnë për fikjen e flakëve, ndërkohë shërbime të shumta të policisë dhe FNSH kanë shkuar në vendngjarjerje. Policia ka shpëtuar disa qytetarë që ndodheshin në një lokal aty pranë. Dëme në njerëz nuk raportohen.

Policia e Durrësit njofton se ‘në autostradën Durrës-Tiranë, në Maminas, është përfshirë nga flakët një fabrikë bojrash.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.

Shërbime të shumta policie të DVP Durrës dhe grupe të FNSH Tiranë kanë evakuuar në një objekt, qytetarët që ndodheshin në lokalin afër fabrikës.

Në momentin që ka rënë zjarr, brenda në fabrikë nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Nga përhapja e flakëve nuk ka asnjë person të dëmtuar.

Për çështje sigurie do të bllokohet përkohësisht autostrada Durrës-Tiranë dhe lëvizja do të devijohet në rrugët dytësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd