Transmetuar më 23-09-2023, 11:10

Sekuestrohen 251 295 euro dhe medikamente mjekësore në Portin e Durrësit. Arrestohet 58-vjeçari që vinte nga Italia dhe tentoi t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar, paratë dhe medikamentet që kishte fshehur në automjetin e tij.

Policia bregdatare informon se ‘si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 4", i zhvilluar nga shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi Muhamet Hoxha, 58 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, i cili vinte nga Italia dhe kishte fshehur automjetin e tij, 251 295 euro dhe medikamente, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri, pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.

Shuma e parave dhe medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd