Transmetuar më 23-09-2023, 10:14

DURRËS- Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i oficerit të policisë në Portin e Durrësit. Gledis Lushi i cili ishteNdihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit akuzohet se lejoi daljen jashtë shtetit të një personi të shpallur në kërkim. Ndalimi i tij është bërë dje më 22 shtator 2023 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Bëhet fjalë për pronarin e kompanisë ‘Buon Aventura’, Elidon Çela, i cili 1 vite më parë u kap me 522 mijë auro të padeklaruara në një furgon në emër të kësaj kompanie që vinte në Portin e Durrësit nga Bari i Italisë.

Paratë janë gjetur në tavanin e autobusit në impiantin e kondicionerit në mjet. Pas arrestimit, për të gjykatat e kishin lënë me masë më të butë, por në 14 shtator Gjykata e Lartë riktheu atë në arrest në burg dhe u shpall në kërkim.

Mësohet se ai ka kaluar në Portin e Durrësit më 17 shtator dhe është lejuar nga polici Gledis Lushi të kaloj në mënyrë të paligjshme. Çela ra në prangat e policisë pasi u rikthye në Shqipëri, po përmes Durrësit.

Kjo nuk është hera e parë që kompania e transportit që ka në pronësi Elidon Çela, “Buon Aventura” është kapur në shkelje të ligjit. Edhe më herët kompania është futur nën hetim nga policia dhe janë zbuluar shumë parash, në sasi më të vogla, por të padeklaruara gjithashtu.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd