Transmetuar më 22-09-2023, 15:10

TIRANË- Klered Bozhanaj, 42-vjeçari që plagosi efektivin e forcave “Shqiponja” në kryeqytet dy ditë më parë, dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Kjo për shkak të dëshmive të tij konfuze para hetuesve, por edhe familjarëve të autorit që kanë thënë se Klered Bozhanaj vuan nga depresioni i theksuar.

Ai u shpreh se është ‘komandant i Pentagonit’, duke lënë të habitur grupin hetimor.

Babai i tij, V.Bozhanaj ka thënë se Kleredi së bashku me familjen e tij u kthyen nga Italia në Gusht të vitit 2022 dhe që prej asaj kohe kanë qëndruar te shtëpia e tij, në zonën e Kinostudios.

“Kleredi dhe bashkëshortja e tij kanë qenë të papunë dhe kanë jetuar me të ardhurat e prindërve të tyre”, thuhet në procesverbalin e grupit hetimor.

Pas kthimit të djalit nga Italia, V.Bozhanaj ka deklaruar se i Kleredi i kishte thënë që nga Italia ishte kthyer pas një konflikti me punëdhënësin, dhe sipas tij, policia italiane kishte mbajtur anën e punëdhënësit. Për këtë arsye ishte detyruar të kthehej në Shqipëri dhe për këtë fakt, thotë babai, Kleredi fajësonte policinë italiane dhe për ta kishte krijuar urrejtje.

Sipas dëshmisë së babait, gjatë jetesës në banesë ai kishte vënë re Kleredi ka qenë i paekuilibruar në biseda dhe i kishte kërkuar që të bënte një vizitë te mjekët psikiatër.

Por Klered Bozhanaj e kishte refuzuar vazhdimisht kërkesën e babait. I ati kishte konstatuar se i biri kishte krijuar bindjen se nuk e donte askush dhe se të gjithë e urrenin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd