
Tani është zyrtare: Gjermania ka punësuar Julian Nagelsmann për të drejtuar ekipin kombëtar të meshkujve. Federata Gjermane e Futbollit ka njoftuar në fakt se Nagelsmann do të marrë përsipër një kontratë afatshkurtër deri në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, ku Gjermania do të jetë vendi pritës i turneut.
36-vjeçari është trajneri më i ri i Gjermanisë, që kur Otto Nerz, 34 vjeç, u emërua trajner në vitin 1926. Nagelsmann edhe një herë pason Hansi Flick, të cilin e kishte zëvendësuar gjithashtu në stolin e Bayern Munich.
Nagelsmann mund të luajë rolin e “tranzitit”, duke qenë se ëndrra e Gjermanisë është të bindë Jurgen Klopp për ta udhëhequr ekipin kombëtar drejt Kupës së Botës 2026.
Zyrtarizimi i Nagelsmann vjen 12 ditë pas lamtumirës së Hansi Flick, i shkarkuar pas disfatës së turpshme, që skuadra japoneze i shkaktoi ‘Mannschaft’ në Wolfsburg (1-4).
Me punësimin e tij, DFB synon të rivitalizojë kombëtaren gjermane në kuota vërtet të ulëta që prej eliminimit qysh në fazën e grupeve të “Katar 2022”.
“Kemi nevojë për një frymë optimizmi dhe besimi përpara Europianit që do të zhvillohet në vendin tonë”, – thuhej në shënimin përmes të cilit u njoftua shkarkimi i Flick, i zgjedhuri për të zëvendësuar legjendarin Joachim Löw.
Nagelsmann është edhe trajneri më i ri në historinë e Bundesligës. Në vitin 2015 ai drejtoi Hoffenfeim në moshën 28 vjeç, gjashtë muaj dhe 18 ditë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





