Transmetuar më 22-09-2023, 11:17

Dy pronarë call center janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim pasi akuzohen se kishin krijuar dhe vënë në zbatim skemë burse fiktive financiare në dëm të shtetasve të huaj, me veprim në Tiranë.

Bjorn Kareco, 27 vjeç dhe Marjo Kolli, 25 vjeç nga Tirana, janë dy personat e prangosur sot në aksionin e koduar "Momentum", raporton noa.al duke cituar policinë e Shtetit.

Ajo tha se dy të rinjtë në bashkëpunim me të tjerë mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Ndërsa u vunë në pranga 2 shtetas, u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të katërt administratorë të një subjekti call center.

Sakaq janë sekuestruar 68 000 euro, njësi kompjuterike, celularë, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Operacioni policor 

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Momentum".

Si rezultat i këtij operacioni:

– u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Bjorn Kareco, 27 vjeç, dhe Mario Kolli, 25 vjeç, të dy banues në Tiranë;

– u shpallën në kërkim shtetasit J. K., 51 vjeçe, dhe E. K., 32 vjeç.

Këta 4 shtetas kishin në administrim një call center në Rrugën e Zallit, në të cilin ishin të punësuar rreth 60 punonjës, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 68 000 euro, njësi kompjuterike, aparate celulare, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd