Edhe në vendin tonë, shumë shoferë e bëjnë këtë gabim
Siç dihet, shumica e aksidenteve të trafikut shkaktohen kur automjetet janë në lëvizje dhe janë rezultat i një veprimi jo korrekt pas timonit, ose i shkeljes së rregullave të trafikut rrugor.
Megjithatë, ka disa raste kur shkak i një aksidenti të pakëndshëm rrugor mund të jetë një lëvizje e gabuar e drejtuesit të një makine, kur ajo është e parkuar.
Në veçanti, shumë shoferë e kanë zakon – sapo ndalojnë makinën – të hapin derën, për të dalë dhe e bëjnë këtë me dorën e majtë.
Një gabim që bëjnë shumë shoferë dhe mund të jetë me rrezik
Megjithatë, duke përdorur dorën e majtë për të tërhequr dorezën dhe për të shtyrë derën, ka rrezik të lartë se po krijoni skenën për një aksident të rëndë rrugor.
Kjo sepse duke bërë lëvizjen e mësipërme është e pamundur që të ktheni trupin majtas dhe shikimin prapa, dhe për këtë arsye është pothuajse e pamundur të kontrollohet me vëmendjen e duhur nëse nga pas po vjen një biçikletë, një motor apo një makinë tjetër.
Prandaj, ekziston rreziku që një mjet kalues të godasë ose derën e hapur, ose shoferin që po del nga makina e tij në atë moment.
Siç raporton faqja e internetit Car and Motor që citon noa.al, nga ana tjetër, hapja e derës me dorën e djathtë e detyron trupin tonë të kthehet majtas dhe për këtë arsye shikimi ynë kthehet prapa, duke kontrolluar në mënyrë efektive për një biçikletë, motor, monopatinëose një makinë tjetër që po afrohet.
Fatkeqësia e këtij lloj aksidenti në Holandë
Aksidentet për shkak të mënyrës së gabuar të hapjes së derës kanë qenë deri vonë një plagë në Holandë, ku biçikletat vërshojnë rrugëve.
Përshkallëzimi i fenomenit mobilizoi organet kompetente të cilët bënë përpjekje të përbashkëta për t’i dhënë fund dëmtimeve të rënda.
Një kontribut vendimtar në arritjen e qëllimit të tyre pati projekti holandez (“Dutch Reach”), i cili informoi qytetarët për mënyrën e duhur për të dalë nga makina.
Fushata të ngjashme po “vrapojnë” edhe në vende të tjera të Europës, sidomos pas rritjes së numrit të biçikletave dhe skuterave elektrike që qarkullojnë në qendrat urbane. /noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd