
Edin Dzeko do të kishte qëndruar me kënaqësi tek Interi, duke rinovuar kontratën e tij. Negociatat për zgjatjen e marrëveshjes u zhvilluan dhe ishin pranë një përfundimi pozitiv, por më pas klubi zikaltër ndryshoi drejtim dhe preferoi të mos e konfirmonte ish-sulmuesin e Romës. Dzeko tani është i lumtur te Fenerbahçe.
"Me kënaqësi do të kisha qëndruar, – tha boshnjaku, sepse isha vërtet i lumtur tek Interi. Duke menduar përsëri për zgjedhjen që bënë menaxherët, jam i sigurt donin t’i jepnin më shumë besim Lukakut, për të mos pasur më në skuadër një lojtar të rëndë si unë, i cili mund të ishte paksa i bezdisshëm për Romelu. Në kuptimin që ndoshta ai nuk pranonte të ulej në stol ndonjëherë, sikurse ndodhi sezonin e kaluar. Për këtë arsye u befasova shumë nga fakti që në fund Lukaku nuk qëndroi tek Interi”.
Mbi përvojën e tij te zikaltrit: "Ishin dy vite të mrekullueshme, që për fat të keq nuk përfunduan ashtu siç shpresonim. Kundër Manchester City, në finalen e Champions League na mungoi pak fati, sepse i kishim mundësitë për të triumfuar. Futbolli është ky: nëse nuk shënon gola, është e vështirë të fitosh”.
Kapitulli Inzaghi: "Sezonin e kaluar trajneri ishte nën presion të madh, sepse rezultatet në Serie A nuk përputheshin me nivelin tonë. Sidoqoftë, nëse luani Champions League si ne, humbet shumë energji. Në Evropë dhamë gjithçka, ndërsa menduam se në Serie A do të mjaftonte edhe më pak…”
Dzeko më pas promovoi çiftin e ri sulmues, të përbërë nga Thuram dhe Lautaro: "Lauty dhe Thuram mendoj se shkojnë mirë së bashku. Pashë derbin dhe ata funksionuan mirë. Thuram duhet të mësohet me kampionatin italian dhe ekipin, por nuk duket se ka ndonjë vështirësi të madhe për momentin".
Edin foli edhe për moshën e tij (37 vjeç): "Për mua, mosha është thjesht numër, sepse jam ende në formë të mirë. Kur ke kokën e duhur, fizikisht arrin më mirë, sepse e di se çfarë duhet të bësh. Fenerbahçe? Jam shumë i kënaqur me zgjedhjen time dhe jam ndjerë i shkëlqyeshëm në këto dy muaj. Klubi ku do të kisha dashur të luaja në karrierën time? Real Madridi. Kushdo që pati mundësinë të luante atje ishte me fat".