Transmetuar më 21-09-2023, 09:35

Ndërsa në gjithë vendin po vazhdon megaoperacioni policor "Tempulli" për goditjen e shpërndarësve të narkotikëve edhe trafikantët nuk po ndalen në "punën" e tyre për të "ushqyer" me drogë nxënësit e shkollave.

Ky i ri që shihni në videon që ju sjell noa.al, shihet në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle, me një sasi lënde narkotike në doza.

Policia e Dibrës tha sot se u procedua penalisht për vepren penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", shtetasi Fabjan Rriçku, 19 vjeç, banor i zonës.

Ai u kap në zbatim të masave të sigurisë në shkolla, për parandalimin dhe goditjen e shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave dhe nxënësve të shkollave, si dhe në kuadër të megaoperacionit "Tempulli".

Kapja e të riut erdhi pasi është siguruar informacion se në afërsi të perimetrit të sigurisë së një shkolle të mesme në qytetin e Peshkopisë, shiteshin doza të lëndës narkotike cannabis sativa.

Si rezultat shërbimet e Policisë, kapën dhe shoqëruan shtetasin Fabjan Rriçku, 19 vjeç, banues në Dibër, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde narkotike e ndarë në doza.

19-vjeçari, në përfundim të veprimeve të para hetimore është proceduar penalisht, ndërkohë që në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, vijon.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme. /noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd