Transmetuar më 20-09-2023, 14:38

Ushtria amerikane ka gjetur mbetjet e avionit luftarak F-35, i raportuar i zhdukur pas një përplasjeje mbi qiellin e Karolinës së Jugut.

Avioni u zhduk mbi qytetin e Charleston të dielën pasdite pasi piloti aktivizoi parashutën dhe pasi u gjet nga ekipet e emergjencës u dërgua në një spital të zonës.

Të hënën ushtria amerikane lëshoi një thirrje drejtuar banorëve të zonës për të identifikuar mbetjet e avionit.

“Nëse keni informacione që mund të ndihmojnë ekipet tona të lokalizojnë avionin F-35, telefononi Qendrën e Operacioneve të Mbrojtjes së Bazës në numrin 843-963-3600”, shkruhej në mesazhin e çuditshëm që u shpërnda në X (ish-Twitter) dhe që zgjoi ironinë e komentuesve.

Sakaq, mbetjet e avionit luftarak u gjetën në një zonë rurale të kontesë Williamsburg dhe pas zbulimit të tyre banorëve iu kërkua të shmangin zonën ndërsa ekipet e ushtrisë punojnë në zonë.

Aksidenti ndodhi rreth orës 14:00 (me orën lokale) të së dielës, kur piloti, me shumë gjasa që kishte humbur kontrollin e F-35B, u detyrua të braktiste avionin dhe të hidhej me parashutë në tokë. Ai arriti të ulej pa probleme në një zonë pranë Charleston-it të Veriut, Karolina e Jugut.

Sipas autoriteteve avioni F-35B Lightning II ishte nisur nga Stacioni Ajror i Trupave Detare Beaufort, si pjesë e një skuadroni stërvitor në raste sulmi që fluturonte së bashku me një avion tjetër luftarak.

Supozohet se ajo që e bëri veçanërisht të vështirë gjetjen e F-35 ishte vetë teknologjia me të cilën është pajisur, pasi sistemi “stealth” e bën të vështirë gjurmimin me radar të tij.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd