Transmetuar më 19-09-2023, 15:09

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka ankimuar vendimin e dhënë nga Gjykata për këngëtaren Enca, e cila u lirua nga qelia dhe u la në masën detyrim paraqitjeje, duke kërkuar në këtë formë rikthimin e saj në qeli.

Policia e Tiranës e arrestoi Encën në kuadër të operacionit “Balcony”, pasi i gjeti gjetur 5 vazo me kanabis në banesën e saj në Lundër. Pesë ditë më parë togat e zeza në Gjykatën e Tiranës vendosën ta nxjerrin nga qelia, ku këngëtarja qëndroi për 2 netë prej arrestimit mbrëmjen e 12 shtatorit, duke i caktuar këngëtares masën e detyrimit të paraqitjes.

Enca Haxhiaj u mbrojt nga xhaxhai i saj, avokati Maks Haxhiaj. Ai pretendoi se kontrolli në banesën ku u zbuluan 5 rrënjët e kanabisit që kishin arritur nga 1.1 deri në 1.3 metër, është bërë pa vendim gjykate, por me iniciativë të policisë.

Prokuroria nuk ishte në një mendje me gjykatën pasi kërkoi që këngëtarja të hetohej duke qëndruar në qeli në masë arresti me burg. Një verifikim me analiza laboratorike do të bëhet më tej për të faktuar shkencërisht nëse këngëtarja është apo jo përdoruese hashashi, siç ka pretenduar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd