
Sipas mediave gjermane, Julian Nagelsmann thuhet se do të marrë postin e trajnerit të ri të Gjermanisë deri në “Euro 2024”, pasi pranoi një ulje të madhe page. Ish-trajneri i Bayern Munich, i cili ishte ende në kontratë me klubin bavarez, edhe pse u shkarkua në mars, është gati t’i bashkohet ekipit kombëtar gjerman si trajner i tij deri në finalet e Europianit të radhës, sipas “Bild”.
Bayern Munich do të ndërpresë marrëveshjen me Nagelsmann në mënyrë që ai të zëvendësojë zyrtarisht Hansi Flick si trajneri i ri i “Die Mannschaft”. Raporti mediatik shton se Nagelsmann do të pranojë ulje të madhe page për t’u bashkuar me ekipin kombëtar (do të marrë rreth 4 milionë euro nga Federata Gjermane e Futbollit).
Shuma zbehet në rëndësi kur krahasohet me 20 milionë eurot që mund të vijonte t’i merrte duke zbatuar kontratën e tij me Bayernin deri në vitin 2026.
Nagelsmann dhe DFB tashmë kanë arritur një marrëveshje në parim dhe detajet përfundimtare të kontratës së tij do të finalizohen në vijim. Ndeshja e tij e parë në krye të Gjermanisë mund të jetë ajo kundër SHBA, një miqësore ndërkombëtare më 14 tetor.