Transmetuar më 19-09-2023, 11:11

KOSOVË-Një video tronditëse qarkulloi në rrjete ku dëshmonte dhunën brutale të edukatoreve ndaj një 3-vjeçari.

Rasti u evidentua në çerdhen ‘Gëzimi Ynë’ në Fushë-Kosovë.

Policia e Kosovës dhe inspektorët e MASHT-it bashkë me prindërit e fëmijës ndodhen në çerdhen ku ka ndodhur ngjarja. Lidhur me këtë ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Ngavci ku dënon ashpër dhunën dhe shkruan se kushdo që e ka ushtruar do të marrë dënimin e merituar dhe se institucionet do të marrin masa të menjëhershme.

POSTIMI I PLOTË:

Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar. Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve.

Videoja ku shihej si i mituri dhunohej nga edukatoret u publikua nga qytetari Fatos Geci, pasi ai ishte nipi i tij 3-vjeç. Në pamjet e publikuara nga ambientet brenda çerdhes shihet teksa nipi i tij, tërhiqet zvarrë nga mësueset, ndërsa ka publikuar edhe foto nga lëndimet që ka marrë fëmija. Familjarët kanë kërkuar nga organet e drejtësisë të reagojnë në ndërmarrjen e veprimeve ndaj mësueseve, pasi 3-vjeçari, përveç lëndimeve trupore, ka pësuar trauma të rënda psikike. Përveç policisë në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe zyrtarë të Ministrisë së Arsimit.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd