Transmetuar më 19-09-2023, 10:25

Dhjetë vjet burg. Këto e prisnin një burrë në moshë ende të re, 41 vjeç, pasi ishte dënuar në mungesë për trafikim të rriturish.

Ndaj ai po fshihej në një zonë të pyllëzuar në fshatin Spille, në përpjekje për t’i shpëtuar dërgimit në qeli.

Por nuk ka zgjatur më sepse dikush ka folur dhe policia është vënë në gjurmim të tij dhe sot e ka vënë në pranga.

Xhevdet Xhafa, 41 vjeç nga Rrogozhina, është arrestuar pasi ishte dënuar me 10 vjet burgim për trafikim të të rriturve, noa.al.

Policia pohoi se "si rezultat i punës gjurmuese dhe operacionale, për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të kërkuar për vepra të ndryshme penale, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, pasi ishte i dënuar me burgim, është finalizuar operacioni policor i koduar “Dekada”.

Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua në një zonë të pyllëzuar në fshatin Spille, u kap dhe u vu në pranga Xhevdet Xhafa, 41 vjeç, banues në Rrogozhinë.

Gjykata e Apelit, Tiranë e ka dënuar këtë shtetas, me 10 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur", parashikuar nga neni 110/a i Kodit Penal.

Vendimi erdhi pasi në 2014, Xhevdeti me vëllanë e tij Ibrahimin, nxirrnin për lypje në rrugë motrën e tyre aktualisht 43 vjeçe, Engjëllushen, sipas dosjes publike të Gjykatës së Lartë.

Motra e tyre kishte probleme mendore dhe aftësi të kufizuara fizike.

Dosja veçon se Engjëllushe Xhafa, për vetë karakteristikat që paraqet vlerësohet nga gjykata si e mitur e moshës nën 14 vjeç.

Por në dosjen e kësaj gjykate pohohet dhe fakti se edhe dy vëllezërit e siguronin jetesën e tyre, gjithashtu duke lypur.

Pak kohë më parë, Xhevdeti kishte lëshuar një apel publik: “Më kanë arrestuar mua dhe Ibrahimit në vitin 2015. Akuzohemi për trafikim qëniesh njerëzore. Nuk jemi kriminelë. Ne jemi lypës, ushqehemi me kanaçe dhe mundohemi të mbajmë familjet tona. Asgjë më tepër, nuk i kam bërë askujt keq. Shikoni ku jetoj, pasuria ime janë fëmijët e mi.

“Ibrahimi, vëllai im ka bërë 5 vite burg, ndërsa unë 4.5 vite si bashkëpunëtor. Çfarë duan më nga ne? Nuk e kuptoj. Ëngjëllueshja është motra jonë invalide, ne kështu jemi rritur gjithë jetën. Nuk na merr njeri në punë. Ju lutem, ju lutem, ju lutem, mos më dënoni më”, shprehej ai. /noa.al