Transmetuar më 19-09-2023, 09:43

Xavi Hernández e starton sezonin 2023-2024 të Ligës së Kampionëve sot, kundër Antwerp-it belg. Kjo do të jetë për të dyja skuadrat ndeshja e parë të fazës së grupeve të Champions League. Trajneri blaugrana beson se këtë sezon ka një skuadër për të garuar në nivel të lartë në Evropë, por nënvizon se duhet ta demonstrojnë në fushë.

Debutimi – "Është bukur të jemi sërish në këtë kompeticion. Po kështu, është koha për të bërë një hap përpara. Vitin e kaluar ne dolëm mirë në garat vendore, tani duhet të bëjmë një hap përpara në Champions. Ky është skenari perfekt, shpresojmë të jemi konkurrues. Ne kemi nevojë për tifozët, duam t’i japim vazhdimësi ndeshjes së së shtunës".

Situata – "E kemi analizuar Antwerp. Është e rëndësishme të dimë se bëhet fjalë për kompeticionin më të lartë në nivel evropian, lojtarët janë shumë të motivuar, por nuk mund të jemi të fiksuar. Nuk mund ta humbasim personalitetin tonë. Të shtunën pamë një ekip të shkëlqyer. Sezoni i kaluar na dha mjaftueshëm për të konkurruar, por jo rezultatet e duhura në Ligën e kampionëve. Këtë sezon duhet të kemi diçka më shumë për të marrë edhe rezultate pozitive. Ky është sezoni ku duam ta bëjmë këtë kapërcim në lojë dhe rezultate. Sezonin e kaluar ishim të mirë në lojë, por rezultatet nuk mjaftuan. Jemi forcuar mirë në merkaton e verës, por duhet ta tregojmë në fushë. Këtu nuk bëhet fjalë për fjalë, por për veprime. Objektivi është të avancojmë nga faza e grupeve në 1/8 finale".

Van Bommel – "Kam kujtime të shkëlqyera prej tij si bashkëlojtar, edhe si rival. Ai ishte i fortë si futbollist dhe i shkëlqyer si mik. Po bën një punë të shkëlqyer tek Antwerp. Belgët janë rivalë shumë dinamikë, të fortë fizikisht, spikasin në të dy krahët. E përziejnë rininë me përvojën, kanë një portier të mirë".

Presioni – "Të gjithë kemi presion të jashtëzakonshëm, por është i mirëseardhur. Më pëlqejnë sfidat. Nuk bëmë mirë në Ligën e kampionëve sezonin e kaluar, tani është koha për t’u përmirësuar. Janë sfida që ia vendos edhe vetes. Edhe lojtarët janë shumë të karikuar".

Ferran Torres – "Ai më tha se duhej të kishte një parasezon të mirë, i kemi dhënë kohën e nevojshme për ta dëshmuar këtë. E shohim duke u stërvitur mirë”.

Sezoni i kaluar – "Ishim të pafat me shortin. Sot luajmë kundër kampionit të ligës belge. Është një sprovë për ne, duam të tregojmë se edhe në Champions mund të garojmë mirë.

Në fushën e Bayernit dhe të Interit kam vënë re respect ndaj nesh, por duhet ta fitojmë këtë mbi të gjitha në nivel mediatik. Duhet të bëjmë një hap përpara në këtë kompeticion. Nuk e kemi fituar që nga viti 2015, të paktën duhet të konkurrojmë denjësisht në të”.

Pedri – “Po shkon shumë mirë me rikuperimin, ka ende pak për të bërë. E rëndësishme është që të rikuperohet mirë, më shumë të kthehet së shpejti. Rëndësi ka që të kthehet sa më i fortë të jetë e mundur".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd