Transmetuar më 18-09-2023, 15:50

Minuta dramatike sot në qytetin e Shkodrës, pasi në mes të rrugës, një adoleshent ka nxjerrë thikën duke shkaktuar plagosjen e një tjetër djali të mitur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, në lagjen "Kongresi i Përmetit", në rrugë, gjatë një konflikti të çastit ndërmjet dy 16-vjeçarëve, raporton noa.al.

Policia tha se djali 16 vjeçar Xh. P. ka dëmtuar me mjet prerës moshatarin K. L..

Për shkak të plagëve me thikë që mori, i mituri u dërgua dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Paraprakisht thuhet se i mituri është jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq i dyshuari i krimit ka marrë arratinë. Shërbimet e Policisë thanë se po vijojnë intensivisht krehjen e zonës, me qëllim kapjen e adoleshentit Xh. P.

Ndërkaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Detajet mbeten ende të paqarta. /noa.al