Transmetuar më 18-09-2023, 12:39

I intervistuar nga “Gazzetta dello Sport”, Arrigo Sacchi i rikthehet fitores dërrmuese të Interit në derbi. Për ish-trajnerin, Milani ishte një skuadër e hallakatur në fushë, pa organizim: "Sipërfaqësi, konfuzion, supozim. Në fushë ishte një ekip, që e bënte modestinë dhe vëmendjen cilësitë e tij kryesore. E kam fjalën për Interin. Ishte edhe Milani, që dukej mendjelehtë, ndoshta edhe mendjemadh, konfuz, sipërfaqësor".

Gabimet e Milanit – “Lista është e gjatë: presing inekzistent, sulmuesit pothuajse kurrë nuk ishin të pranishëm në fazën e mbrojtjes, ekip i gjatë, mungesë bashkëpunimi ndërmjet reparteve, pak qartësi në lojë”.

A e ka humbur busullën Pioli – “Unë me të vërtetë shpresoj që jo, por me siguri ai luajti në mënyrën e gabuar në derbi. Pioli duhet të jetë i pari që duhet të bindet për gjërat që bën dhe më pas t’ua kalojë këtë bindje lojtarëve. Në derbi, duke luajtur në atë mënyrë, trajneri nuk i dha asnjë siguri ekipit. Nëse Milani dëshiron të jetë i suksesshëm, duhet të jetë ekip kolektiv, në të cilin të gjithë marrin pjesë në fazat sulmuese dhe mbrojtëse. Kush është dakord me këtë, mirë. Kushdo që nuk është dakord, qëndron jashtë”.

Vështirësitë me tre sulmues – “Milani ishte një ekip që kishte 11 lojtarë të shpërndarë nëpër fushë, pa logjikë dhe pa organizim. Ne shpresonim për përparimin e Leaos, vrapimin e Hernandez, goditjen me kokë të Giroud… Gjithsesi, duhet ta kuptojnë të gjithë se futbolli është një lojë kolektive, se repartet duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin. Dhe për ta bërë këtë nuk mund të kesh një ekip 50 metra të gjatë, si Milani”.

Kundërsulmi i Interit – “Sa herë që dilnin në kundërsulm, zikaltrit krijonin mundësi të rrezikshme. Kjo është e papranueshme. Dhe ku ishin shenjat parandaluese? E përsëris: qëndrimi i kuqezinjve më dukej sipërfaqësor. Proverbi thotë se të gabosh është njerëzore, por le të kujtojmë se këmbëngulja në gabime është djallëzore. Pra, kuqezinjtë duhet të përveshin mëngët dhe të punojnë me qartësi idesh. Interi fitoi sepse ishte një ekip kompakt, i vendosur dhe modest”.

Mbrojtësit e krahut si mesfushorë – “Epo…, pashë që kur ata patën topin, kuqezinjtë bënë gjuajtje nga larg. Calabria ishte mesfushor në derbi, por ai ka luajtur si mbrojtës i krahut për një kohë të gjatë. Pra, le ta lëmë të luajë atë rol natyral, pa e ngatërruar".

Idetë taktike të Piolit nuk bindin – “Unë jam pro risive, ato tregojnë dëshirë për përparim. Por, para së gjithash duhet të jetë baza, kolektivi. Pastaj mund të mendoni për variacionet”.

Zotërimi këmbëngulës i topit uli ritmin – “Sigurisht, lojtarët nuk ishin të pozicionuar mirë dhe prisnin topin duke qëndruar në vend. Problemi kryesor është se Milani duhet të bëhet ekip kolektiv, jo koleksion individësh”.

Reagimi – “Nuk duhet ta demoralizojmë, por ta sqarojmë Milanin pas derbit. Së pari trajnerin, i cili tashmë ka dëshmuar se është një person inteligjent. Mësimi mund të jetë i dobishëm, nëse distancohet nga sipërfaqësia, pakujdesia dhe supozimi".

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd